E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk ka nevojë për bord nafte, duhen përgjysmuar taksat

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot, në një konferencë për mediet, se ngritja dhe funksionimi i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve nuk është i nevojshëm.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me bordin që pritet të dalë sot me vendimmarrje, pas rritjes së çmimit të naftës, Berisha e cilësoi atë në shkelmim flagrant të interesave të qytetarëve dhe në mbrojtje të oligopolit dhe interesave të qeverisë.

“Nuk ka nevojë për bord, përgjysmo taksat, vendos nivelin e taksave që ka Kosova dhe Maqedonia dhe pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shtrenjtë naftën në pompat e Shqipërisë që të marrë atë që meriton”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha shtoi se nëse vendoset ngarkesë fiskale shumë më e lartë se vendet e OECD, 33 për qind më të lartë se vendet e OECD, të cilat i kanë të ardhurat për frymë pesë ose gjashtë herë më të lartë se Shqipëria, atëherë qeveria ka vendosur gjobë të rëndë mbi qytetarët e vendit.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›