E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon operacioni “Koordinata”, kapet në flagrancë 34-vjeçari që kultivonte kanabis në Fushë-Milot

Policia e Kurbinit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, i cili vijon në gjithë territorin e vendit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e këtij fenomeni.

Gjatë kontrolleve në territor, në një parcelë të fshehur në Fushë-Milot, Njësia Administrative Milot, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin zbuluan 50 bimë të dyshuara të llojit cannabis sativa, të kultivuara ndërmjet një kulture misri.

Në momentin e ndërhyrjes, në parcelë u kap në flagrancë shtetasi A. P., 34 vjeç, i cili dyshohet se po përkujdesej për bimët narkotike. Ai u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori për shtetasen E. P., 26 vjeçe, bashkëshortja e të arrestuarit, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni dhe në bashkëpunim me të në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Operacioni “Koordinata” vijon pa ndërprerje në të gjithë vendin.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›