E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në Miras, ndërhyrje edhe nga ajri

Në fshatin Miras, Njësia Administrative Miras, Bashkia Devoll, prej dy ditësh vijon aktiv një vatër zjarri në zonën pyjore, e cila ka përfshirë sipërfaqe me dushk dhe pisha.

Që prej mëngjesit të sotëm, përveç forcave zjarrfikëse, shërbimit pyjor, strukturave vendore dhe banorëve të zonës, në operacion është përfshirë edhe një helikopter i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, duke kryer ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.

Në terren po punojnë rreth 70 forca, të cilat përballen me vështirësi të shumta për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, që e bën të nevojshme ecjen në këmbë për të mbërritur pranë vatrës së zjarrit.

Institucioni i Prefektit të qarkut Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e veprimeve, me synim shuarjen e plotë të flakëve dhe mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›