E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat, më shumë pacientë drejt mjekëve të familjes, infeksione virale të ngjashme më gripin në qarkullim

Një fluks virozash ka prekur popullatën ditët e fundit. Mjekët e familjes po shohin rritje të numrit të vizitave të cilat shoqërohen me ankesa  të lidhura kryesisht më rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe tonsilitet.

Dr. Silvana Tako, drejtuese e qendrës shëndetësore 10 thotë se  kemi të bëjmë me infeksione virale të disa llojeve të ngjashme me gripin, ndërsa ka përjashtuar prezencën e COVID bazuar kjo në testet e shpejta që janë kryer.

“Janë me ankesa të tilla si temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje koke, sekrecione nazale, gjendje trupore jo të mirë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ka shfaqur ulje oreksi, temperaturë të lartë, irritim të gjendjes së tyre me çrregullim gastrointestinal”, u shpreh mjekja.

Të prekur janë të gjitha grup moshat por fëmijët kanë qenë më të adresuarit për vizita.

“Fëmijët janë më të predispozuar nga që janë në çerdhe dhe kopshte”, tha ajo.

Një temperaturë që persiston në dy apo tre ditë nuk duhet neglizhuar. Mjekët këshillojnë mjekim pranë tyre dhe jo pranë farmacive ndërsa të qëndruarit larg korenteve të ajrit dhe vapës duhen mbajtur në vëmendje çdo moment të ditës.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›