Virusi i etheve të Nilit, Tomini: Dezinsektimi ka nisur në kohë dhe kryhet periodikisht

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Vitin e kaluar në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmoi 17 raste të virusit të etheve të Nilit Perëndimor.
Këtë vit, sipas drejtueses së Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini dezinsektimi ka nisur që në muajin prill dhe po vazhdon në mënyrë periodike në disa zona të vendit.
“Derisa është evidentuar, me gjasa, absolutisht nuk mund të themi që e përjashtojmë apo do të kemi raste të tjera. Duke theksuar që janë të gjithë strukturat në gatishmëri dhe duke vlerësuar çdo rast të mundshëm me meningjit apo meningoencefalit, në lidhje me ethet e Nilit, ISHP-ja ka kapacitetet për të diagnostikuar çdo rast të mundshëm,” shprehet Tomini në një intervistë televizive.
Tomini thotë se procesi ka nisur në muajin prill në bashkëpunim me bashkitë, por për këtë duhet edhe bashkëpunimi i komuniteteve dhe bizneseve.
“Ka një bashkëpunim të rëndësishëm në drejtim të mbarëvajtjes së procesit të dezinsektimit në të gjitha zonat bregdetare, ligatinore dhe urbane. Ky proces do të ndihmojë shumë në minimizimin e popullatave të mushkonjave në vend. Do të minimizojë larvat, pra që të mos kemi formën adulte dhe kështu kemi ndikuar indirekt edhe në uljen e vektorit që i transmeton ethet e Nilit. Duke qenë se vitin e kaluar kemi pasur një shpërthim, të gjitha strukturat tona janë impenjuar në drejtim të një mjedisi të pastër, por në këtë proces duhet të kontribuojmë të gjithë, edhe komuniteti, edhe bizneset”, tha Tomini.
Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.dhe shfaqen vetëm në 1% te personave te infektuar.
Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.
/e.i//a.f/