E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i Ri mirëpritet me spektakël fishekzjarresh në Shqipëri. ATSH ju uron: Gëzuar 2026-ën!

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Shqipëria ka lënë pas vitin 2025, duke hyrë zyrtarisht në Vitin e Ri 2026.

Festa kulmoi në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet ku Viti i Ri u prit me një koncert madhështor i cili nisi në orën 22:00 dhe vijoi deri në orët e vona pas mesnate.

Qytetarë të shumtë u mblodhën për të festuar bashkë momentin magjik të ndërrimit të viteve.

Atmosfera festive u ndez nga performancat e artistëve të njohur, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të paharrueshme mes muzikës, dritave dhe fishekzjarreve.

E pranishme ne sheshin “Skënderbej” ishte dhe kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.

Ajo theksoi se “këtë vit kemi vendosur që privilegjin t’ia japim atyre që kanë punuar më shumë jo vetëm për qytetin, por për të ardhmen e të gjithë gjithë Shqipërisë, ndaj ju lutem bashkohuni me mua që të mirëpres këtu në skenë për të numëruar mbrapsht Vitin e Ri të gjithë maturantët e shkëlqyer të qytetit të Tiranës, fytyra më e bukur e qytetit: Iva, Ajla, Dea”.

“Ka një arsye pse ky qytet nderon ata që përpiqen më shumë dhe këta çuna dhe goca që po futen në jetën e të rriturve, sot do të numërojnë mbrapsht për Tiranën, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh Ristani.

Një spektakël fishekzjarresh ndriçoi Tiranën gjatë momentit të ndërrimit të viteve.

Viti i Ri 2026 u prit me spektakle fishekzjarresh edhe në qytete të tjera të vendit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare uron të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për një vit sa më të mbarë e të begatë!

1 nga 16

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›