E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor 2026-2027 nis më 14 shtator

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Viti i ri shkollor 2026–2027 në arsimin parauniversitar do të nisë më 14 shtator 2026 dhe do të përfundojë më 18 qershor 2027.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur kalendarin e vitit të ri shkollor, i cili përcakton periudhat e procesit mësimor, pushimeve dhe zhvillimit të provimeve kombëtare.

Sipas kalendarit, mësimi për nxënësit e maturës do të përfundojë më 4 qershor 2027, ndërsa provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen nga 7 deri më 28 qershor 2027.

Provimet kombëtare të arsimit bazë do të mbahen në periudhën 21–30 qershor 2027.

Pushimet dimërore për nxënësit e arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë do të jenë nga 24 dhjetori 2026 deri më 4 janar 2027.

Ndërsa pushimet pranverore për arsimin bazë do të zhvillohen nga 29 marsi deri më 2 prill 2027.

Sipas Kumbaros, kalendarit i vitit shkollor 2026–2027 synon t’u krijojë nxënësve, mësuesve dhe prindërve mundësi për një organizim më të mirë të angazhimeve përgjatë vitit, duke garantuar ritëm të qëndrueshëm të procesit mësimor dhe përgatitje të përshtatshme për çdo etapë të tij.

“Në fokus të punës së institucioneve arsimore mbetet cilësia e mësimdhënies, mbështetja e nxënësve në rrugëtimin e tyre shkollor dhe përgatitja për provimet kombëtare”, tha Kumbaro.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›