E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në SHBA, Spiropali takime në Kongresin dhe Senatin amerikan

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vijoi vizitën e saj në Uashington me disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në disa dimensione.

Ministrja Spiropali u prit nga kryetari i komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veterani i ushtrisë amerikane Brian Mast, i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA–Shqipëri.

Gjatë këtij takimi u theksua bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Spiropali u takua edhe me kongresmenin Jimmy Patronis, ku u diskutua për potencialin e bashkëpunimit ndërsektorial në fusha si rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.

Spiropali dhe Patronis u ndalën në rëndësinë që ka për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s, ndërlidhja infrastrukturore përmes projektit strategjik të Korridorit të VIII.

Ministrja e Jashtme u prit edhe nga kongresmenët Ritchie Torres, bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, mbështetës aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga anëtari i lartë i nënkomisionit për Evropën në komisionin për Punët e Jashtme, William R. Keating, dhe Kongresmeni Keith Self.

Ministrja i falenderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.

Më tej, Spiropali do të pritet në Senatin Amerikan nga senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, ku do të riafirmohet roli i Shqipërisë si partner i ngushtë i shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita zyrtare e Spiropalit do të vijojë me takimet e zyrtarëve të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.

1 nga 4

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›