Vlorë, nis rehabilitimi i kanalit të ujërave të larta për zgjidhjen e përmbytjeve në qytet

Në qytetin e Vlorës ka nisur sot aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje të ngritura mbi kanalin e ujërave të larta, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve që prej vitesh kanë sjellë pasoja për qytetin.
Ky aksion është pjesë e një plani të gjerë ndërhyrjesh për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kanalit, duke synuar garantimin e funksionimit normal të tij dhe eliminimin e rrezikut të përmbytjeve gjatë sezonit të reshjeve. Ndërhyrja konsiston në largimin e strukturave të ndërtuara mbi kanal, të cilat kanë penguar rrjedhën e ujërave dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatave gjatë reshjeve intensive.
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, ka theksuar se procesi do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke mbështetur nevojat e banorëve përmes programeve të strehimit social.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes afatgjatë të problematikës së përmbytjeve, si dhe përmirësimit të sigurisë dhe cilësisë së jetesës për qytetarët,” – u shpreh Mersini.
Bashkia u bën thirrje të gjithë qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë zhvillimit të këtij aksioni, në funksion të një qëllimi të përbashkët: një qytet më i sigurt dhe më i mbrojtur nga rreziqet natyrore.
/rtsh.al/