Vota e diasporës, Kaso: KQZ të zgjidhë problemin me postat, s’do ta lëmë të dështojë për çështje teknike

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso, duke folur për votën e emigrantëve, ka deklaruar se Partia Demokratike nuk do ta lërë që të dështojë procesin e votimit të emigrantëve për çështje teknike.
“Ne e kemi thënë nëpërmjet kryetarit të partisë që nëse zgjidhja ligjore, e amendimit ligjor, do të ishte zgjidhja e fundit dhe e përshtatshme që garantonte procesin, sigurisht që nuk do ta lëmë këtë proces të dështojë për aspekte teknike.
PD është ajo që e ka kërkuar që ky proces të ndodhte që në vitin 2012 dhe tani duket sikur jemi në rrugën e realizimit për zgjedhjet e ardhshme dhe sigurisht ne që e kemi sjellë këtu këtë proces, nuk do ta lëmë të dështojë për teknikalitete apo çështje afatesh”, – tha Kaso për në një intervistë për euronews.
“Megjithatë nuk është standard ndërhyrja në “Kodin Zgjedhor” në momentet e fundit para zgjedhjeve prandaj duhet të mësohemi të heqim dorë nga këto praktika dhe i takon KQZ-së të marri përgjegjësinë ligjore dhe ta zgjidhë problemin me postat, ndërsa ne si parti politike do të jemi në mbështetje, nëse vërtet ka një alarm real”, tha Kaso.
Megjithatë Kaso nënvizoi në një intervistë televizive, se janë të gjitha mundësitë, qoftë teknike, qoftë kohore për të mos u vënë në rrezik vota e emigrantëve.
“Është një kosto që ne do ta marrim nëse rruga e vetme që ngelet janë edhe ndryshimet kushtetuese. Por nuk është kjo që na dekurajon. Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë qoftë teknike qoftë kohore, që kjo të adresohet me mënyra dhe mjete të tjera pa vënë në rrezik dërgimin e fletës së votimit në mënyrë të sigurt nëpërmjet operatorëve ndërkombëtar dhe kthimin e saj në kohë”- u shpreh Kaso.
Kaso tha se vetë KQZ nuk ka ngritur ende alarmin për mos realizimin e votës së diasporës.
“Është çështjet e KQZ-së, i cili sot një muaj e 20 ditë mbas adresimit të këtij informacioni, nuk ka paraqitur asnjë propozim, hamendësim, dhe në dijeninë tonë nuk ka një takim të dytë apo të tretë me operatorët postare. Që të presim të na japë alarmin KQZ, nëse ka alarm vërtetë, nëse ka alarm do të bëjmë vlerësimet tona”- tha Kaso.
/a.f/