Votat nga Greqia, PS kërkon shfuqizimin e aktit të KSHZ: Është antiligjor

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Partia Socialiste kërkoi sot shfuqizimin e aktit nr. 1121 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve lidhur me mënyrën e administrimit të fletëve të votimit nga jashtë, duke e konsideruar si absolutisht të pavlefshëm, të nxjerrë në kundërshtim me ligjin.
Më herët KSHZ, duke marrë shkas nga rezervat e shprehura nga koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore lidhur me fletët e votimit nga jashtë të mbërritura nga Greqia, që sollën dhe ndërprerjen e numërimit të votave të ardhura nga diaspora, KSHZ vendosi që kur grupi numërimit dhe Komisioni i Administrimit e Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë për votuesit nga jashtë nuk vlerëson zarfin/et “B”, atëherë këto fletë votimi apo zarfe do të vlerësohen nga KQZ rast pas rasti.
Lidhur me këtë vendim, Partia Socialiste ka depozituar ankesën e saj pranë KQZ, ku kërkon shfuqizimin e saj.
Në ankesën e saj, PS shprehet se, me vendimin nr. 1121, datë 12.05.2025, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi se, “kur gjatë procesit të vlerësimit të dokumentacionit zgjedhor nga jashtë, GNV dhe/ose sipas rastit KANVVJ nuk vlerëson zarfin/zarfet “B” pjesë të këtij dokumentacioni, atëherë ky zarf/zarfet futen në një kadi sikurse kutia e votimit Brenda vendit. Kutia mbyllet me vula me kode sigurie, numrat e të cilave shënohen në një procesverbal, origjinali i të cilit dorëzohet në KQZ rast pas rasti”.
PS thekson se, “vlerësimi i zarfeve “B” te administruara sipas këtij akti, i nënshtrohet procesit të shqyrtimit të mëtejshëm sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në bazë e për zbatim të tij.”
“Me anë të kësaj kërkese ankimore kundërshtojmë këtë vendim të Komisionerit si akt absolutisht të pavlefshëm, të nxjerrë në kundërshtim me ligjin, bazuar në parashikimin e nenit 124 meqenëse kemi interes të ligjshëm për çështjen objekt ankimi, si vendim që ndikon në në 2/5-ën zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025”, shton PS.
Sipas PS, “nga pikëpamja formale, ky vendim është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor të cilat përcaktojnë kompetencat e Komisionerit. Komisioneri e referon vendimmarrjen e tij në nenin 19, pika 1, shkronja n dhe pika 2. Në analizë të këtyre dispozitave neni 19, pika 1, shkronja n parashikon: Komisioneri ushtron në emër të KQZ-së kompetencat që i ngarkohen asaj me ligje të veçanta, si dhe çdo kompetencë që ky ligj nuk ia njeh shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it”.
“Në analizë të kësaj dispozite rezulton se ky akt ka karakter normativ dhe si i tillë, është kompetencë e Komisionit Rregullator, sipas parashikimit të nenit 20 Kompetencat e Rregullatorit. Ndodhur në këto kushte, nuk jemi në zbatim të nenin 19, pika 1, shkronja n kur kompetenca nuk i njihet shprehimisht Rregullatorit ose Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, cka do e detyronte Komisionerin në këtë rast të ushtronte kompetencat në emër të KQZ”, shton PS.
“Referuar nenit 20, pika 1, shkronja dh, rezulton se Rregullatori ndër të tjera, ka kompetencë të normojë dhe rregullat për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit, për procedurat e tyre të votimit dhe specifikisht ato për administrimin dhe numërimin e votave nga jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve për Kuvendin, rregullim të cilin e bën në fakt ky akt. Pra, sa sipër, rezulton qartë se KSHZ nuk e ka patur në fushën e tij të përgjegjësisë nxjerrjen e një akti të tillë, pasi I mungon kompeteca lëndore sipas dispozatave të Kodit Zgjedhor dhe ka ndërhyrë në fushën e kompetencës së një organi tjetër sic është Komisioni Rregullator në KQZ”, nënvizon PS.
“Në titullin e aktit Komisioneri shprehet se vendimmarrja e tij i takon administrimit të zarfit “B”, ndërkohë që administrimi ka ndodhur që në momentin që zarfi “B” futet në kutinë e Votimit nga Jashtë. Kjo vendimmarrje rezulton qartë se lidhet me vlerësimin e zarfit “B”, dhe jo me administrimin e tij”, thekson PS.
Sipas PS, “nga ana substanciale, ky akt nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore, konkretisht vendimit nr. 22, datë 20.03.2025 i ndryshuar, të Komisionit Rregullator”.
“Rezulton se në Kreun 3, pika 2 përcaktohet se KQZ administron, numëron dhe vlerëson çdo fletë votimi që ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në orën e mbylljes së votimit brenda vendit sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Procesi i administrimit, numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë, si dhe tabelimi i rezultatit zgjedhor përkatës kryhet sipas përcaktimeve në këtë akt. Në Kreun 5, pika 5.2/8 përcaktohet se “nëse ndonjë nga anëtarët e GNVJ ka kontestime lidhur me fletën e votimit ky kontestim shënohet në procesverbalin e GNVJ për vlerësimin e dokumentacionit në kutinë e votimit nga jashtë. Në pjesën prapa të fletës së votimit nga faqja që nuk janë emrat e subjekteve zgjedhore, sekretari shënon fjalën “E kontestuar”, thekson PS.
“Në analizë të parashikimeve sa sipër, konstatohet se akti parashikon rastet e kontestimit të fletës së votimit. Ndërkohë që në rastin ën fjalë vihet re se nga ana e GNVJ apo KANVVJ nuk janë vlerësuar apo janë kontestuar zarfat “B”, të cilët nuk kishin asnjë shenjë dalluese apo ndonjë element të dukshëm që ti bënte ato të pavlefshëm apo të hidhte hije dyshimi mbi vlefshmërinë e tyre”, vijon PS.
PS thekson se, “në zbatim të akteve rregullatore është miratuar Udhëzuesi i punës së KANVVJ dhe GNVJ, i cili përcakton qartësisht rregullat dhe procedurat për administrimin e numërimit dhe vlerësimit të votës së diasporës”.
“Rezulton se referuar Kreut II, pika 1 parashikohet se në rast të mungesës së vendimmarrjes nga KANVVJ, vendimi merret nga Komisioneri. Në rastin konkret, Komisioneri nuk ka ushtruar kompetencat e tij të njohura në këtë Udhëzim dhe nuk ka marrë vendim lidhur me zgjidhjen e situatës së shkaktuar nga mungesa e vendimmarrjes së KANVVJ. Komisioneri në ushtrim të kompetencave të tij duhet të merrte një vendim për vijimin e procesit për aq kohë sa zarfat e kontestuar nuk u kontestuan si të pavlefshëm për asnjë arsye, nuk kishin asnjë problematikë nga ato të parashikuara në aktin rregullator nr. 22, datë 20.03.2025, dhe nuk iu nënshtruan fare vlerësimit të Komisionerit. Apriori, duke marrë në konsideratë pretendime të pabaza, të paprovuara me asnjë provë shkresore konkrete, Komisioneri vendosi në kundërshtim me aktet ligjore, por dhe kompetencat e tij, që t’i mbyllë zarfat “B” në një kuti dhe ti dorëzojë në KQZ rast pas rasti”, shton PS.
Sipas PS, “udhëzuesi parashikon se kutia e parregullt nuk i jepet GNVJ-së për numërim apo vlerësim të votave, por i nënshtrohet një hetimi administrativ sipas përcaktimeve të neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor. Në rastin konkret, të gjitha kutitë janë vlerësuar si të rregullta nga KANVVJ, dhe si të tilla u janë dorëzuar Grupeve të Numërimit”.
“Në zbatim të këtij Udhëzimi, Grupet e Numërimit të Votave nga Jashtë kryejnë në mënyrë të pandërprerë numërimin e të gjitha kutive të pranuara të rregullta nga ana e KANVVJ-së. Refuzimi për të numëruar sjell shkarkimin e menjëhershëm të personave të ngarkuar për numërimin ose, sipas rastit, KZAZ-
Procesi i numërimit ndërpritet me vendim të KANVVJ-së, vetëm për shkaqe që nga administrata zgjedhore dhe që pengojnë procesin normal të numërimit 4/5 argumentohen në “Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KANVVJ-së, përfshire edhe vendimin për rifillimin e numërimit”, vijon ankesa.
PS thekson në shkresën e saj se “nga këqyrja e situatës në vend, rezultoi se procesi i numërimit u ndërpre pa asnjë shkak të arsyeshëm dhe pa asnjë pretendim të bazuar. Komisioneri nuk mori masat e duhura dhe nuk ushtroi kompetencat e tij për ta zgjidhur këtë situatë, por përkundrazi, vendosi që vullneti i 53.000 shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetin Grek, të konsiderohet me “ves”, duke paragjykuar dhe duke mos i dhënë vlerën e duhur votës së shtetasve shqiptarë, duke e trajtuar atë në mënyrë të pabarabartë me votat që vijnë nga shtetet e tjera ku jetojnë shtetas shqiptarë.
Për më tepër, në Udhëzimin sa sipër, parashikohet se kur konstatohet se gabimisht janë hedhur zarfa të jashtëm (zarfi B) të parregullt (mungon zarfi B, zarfi është pa kod unik, zari me kod unik të palexueshëm), GNVJ-ja i numëron ato dhe këtë numër e shënon në procesverbalin e GNVJ-së për vlerësimin e dokumentacionit në Kutinë e Votimit nga Jashtë. Ky dokumentacion vendoset në një zarfi të veçantë dhe nuk i nënshtrohet vlerësimit.
Pra, jemi në situatë kur zarfi “B” mund të konsiderohet i parregullt, mund të jetë me të meta dhe sërish GNV i numëron ato. Ndërsa në rastin konkret, zarfat “B” kanë qenë të rregullta dhe vetëm për hir të mungesës së vullnetit të disa numëruesve për t’i numëruar janë kontestuar pa asnjë arsye”, shton PS.
PS thekson se, “akti i Komisionerit në vetvete përveçse nga ana formale dhe substanciale është në kundërshtim me aktet ligjore, është edhe i paqartë në përmbajtje, pasi ai nuk referon në dispozita konkrete të Kodit Zgjedhor, të cilat mund ta normonin këtë akt. Ky akt lë vend për interpretim, sidomos në pikën 2 të tij, ku terminologjia e përdorur nuk përcakton qartë se si do të vijojë procedura e administrimit të zarfave “B”, dhe cilat dispozita të Kodit Zgjedhor do zbatohen për këtë proces”.
“Në përfundim, të analizës më sipër, kërkojmë shfuqizimin e aktit nr. 1121, datë 12.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve si absolutisht të pavlefshëm”, përfundon ankesa e PS.
/a.f/