Votoi për vete dhe Berishën kundër shkarkimit të Spiropalit, Topalli: Ishte lapsus

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka sqaruar votën e saj kundër për shkarkimin e ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë seancës në Kuvend.
Ajo pranoi se kishte shtypur gabimisht dy butonat në sistem me idenë se po kërkonte fjalën, por rezultoi në votë kundër shkarkimit për vete dhe për Sali Berishën, një veprim që e përshkroi si lapsus teknik.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, tha Topalli.
Gjatë kësaj seance, Elisa Spiropali u shkarkua nga posti i Ministres së Jashtme me 83 vota pro dhe 2 kundër.
/rtsh.al/