Voton Haxhiu: Të dëshmojmë maturi e dashuri për vendin

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Të drejtën e votës e ka ushtruar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ndërsa sot në Kosovë rreth dy milionë qytetarë janë thirrur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë.
Haxhiu votoi në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë, nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje.
“Unë sapo ushtrova të drejtën time të votës. Me këtë rast, nga këtu i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që sot të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë. I ftoj të gjithë palët, të gjithë qytetarët që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojmë maturi, respekt për njëri-tjetrin dhe dashuri për vendin”, tha Haxhiu.
Sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bërë në ora 10:39, në Prishtinë kanë votuar 4.15 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, apo 0.53 për qind më shumë sesa në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Kosovapress/