Vrasja e Çajup Selimit, Ahmet Abedini dëshmon në GJKKO: Telefononte nusen time pa pushim

Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, që akuzohen nga SPAK për vrasjen e biznesmenit, Çajup Selimi dëshmon në Gjykatën e Posaçme:
“Atë ditë kam qenë në punë, pasdite kam ikur në Gjirokastër, kisha shtruar nënën në spital. Me të ndjerin kishim të njëjtin aktivitet tregtar, shisnim materiale ndërtimi. Unë kam dy dyqane. Një punoj unë, një e punonte gruaja.
Kam pasur konflikte me Çajupin se i bënte telefonata nuses time, anonime, në çdo orë të ditës apo të natës. Kemi pasur konflikte edhe me fjalë edhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit, pa pushim, kisha dy vjet që e kisha marrë. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtuam edhe në gjykatë, për këtë punë. I kishte bërë nusja padi. Kishte 5-6 muaj që kishin bërë marrëveshje me policinë që nuk do kishin konflikte.
Ishim të bindur se i bënte ai telefonatat. “Dua t’i bëj telefonatat”, thoshte ai.
Bashkëshortes i binte telefoni, në çdo orë të ditës. Ndonjëherë edhe jo anonime.
I dërgonte mesazhe. E ngacmonte bashkëshorten. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej.
Bujari, vëllai banon në fshat.
Vëllai nuk ka qenë në dijeni të telefonatave që i bënte bashkëshortes. Asnjë nga vëllezërit nuk e dinte. Nga ora 12.00 i natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë ata hajde, i pyeta ata unë 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. I thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital.
Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por e shoqëroja unë në spital se ai kishte bagëti, ishte çoban.
Erisjano ishte në Tiranë, erdhi pas nja 3-4 ditësh. Atë natë e kërkoi policia, por pastaj folën me telefonin e nuses që Erisjano ishte në Tiranë. Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici“.