Vrasja e Ramazan Matajt, dërgohen në gjyq dy vëllezërit që e ekzekutuan

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 5 janar 2025, ku u vra me armë zjarri 33-vjeçari Ramazan Mataj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:15, në vendin e quajtur “Dragoç”, Njësia Administrative Postrribë, Bashkia Shkodër, ku viktima u qëllua për vdekje me breshëri plumbash në automjetin e tij.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit, Prokuroria ka marrë të pandehur vëllezërit Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj. Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”; “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Sipas hetimeve, Arjon Hasaj është autori kryesor i ekzekutimit. Ai i ngriti kurth 33-vjeçarit dhe e qëlloi për vdekje pas një konflikti të lindur për shkak të një lidhjeje që viktima kishte prej gjashtë vitesh me motrën e tij.
Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, 29-vjeçari Hasaj ka deklaruar se Ramazan Mataj i kishte prishur dy martesa motrës së tij dhe kishte shpërndarë video intime të saj tek bashkëshorti i dytë.
Ndërkohë, i vëllai Klisman Hasaj është akuzuar për ndihmë në krim, pasi dyshohet se ka siguruar kushtet për realizimin e vrasjes.
Dosja penale ndaj dy vëllezërve është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
/vizionplus.tv