Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, dorëzohet në polici autori i dyshuar

Është vetëdorëzuar në Policinë e Gjirokastrës Kamber Sulçaj, autori i dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje e ndodhur në fshatin Salari të Tepelenës më 27 shtator.
Sulçaj është shoqëruar nga avokati i tij dhe ndodhet aktualisht në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku po merret në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes. Gjatë vetëdorëzimit, autori dorëzoi gjithashtu armën e gjahut (me vjaska), me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.
Sipas burimeve konfidenciale për RTSH, gjatë paraqitjes së tij Sulçaj ka folur shkurt, duke deklaruar: “Quhem Kamber Sulçaj, rezultoj i kërkuar nga shteti dhe kërkoj prokuroren e çështjes, Blerina Musabelli”.
Po ashtu, burimet bëjnë me dije se edhe gjatë marrjes në pyetje në ambientet e policisë, ai është shprehur: “Nuk do të jap asnjë shpjegim sot, por në një fazë të mëvonshme dhe në prani të avokatit”.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Sulçaj është konfliktuar fillimisht verbalisht me biznesmenin italian dhe me personat e tjerë që shoqëronin atë. Më pas ai ka qëlluar me armë në drejtim të tyre, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari italian.
Njoftimi i plotë i policisë:
Gjirokastër
Vetëdorëzohet shtetasi K. S., autor i dyshuar i vrasjes për motive të dobëta, të shtetasit italian, E. S., trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, pas mesnatës së datës 26.09.2025.
Shtetasi K. S. gjithashtu dorëzoi armën e gjahut (me vjaska), me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Gjirokastër kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, në mungesë, për shtetasin K. S., 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. S. ka qëlluar me armë gjahu me vjaska, në drejtim të shtetasit E. S., shtetasve që shoqëronin këtë të fundit dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi E. S..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të metejshme.
/rtsh.al/