Mori 2 mijë euro për të mos arrestuar një grua që shkaktoi aksident, SPAK dërgon për gjykim ish-shefin e Rrugores

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim ish-shefin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka dhe dy vartësit e tij, Sokol Novaku e Edison Tabaku, të akuzuar për marrje ryshfeti prej 2 mijë eurosh.
Sipas dosjes, policët dyshohet se kërkuan dhe morën paratë nga biznesmeni Ergest Vrioni për të mos arrestuar bashkëshorten e tij, Anisa Vrioni, pas një aksidenti me pesë të plagosur më 16 prill. Tabaku, që njihte Vrionin, mori fillimisht 1 mijë euro pranë banesës së tij dhe më pas kërkoi edhe 1 mijë të tjera, duke thënë se “kishte persona mbi kokë”.
Hetimet zbuluan komunikime mes Tabakut, Zekës dhe Novakut për ndarjen e shumës. Dosja do të shqyrtohet nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/