Vrasja e biznesmenit italian, dëshmitarët shpjegojnë momentet e fundit

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit italian 44-vjeçar, Edoardo Sarchi, në Tepelenë. Ngjarja e rëndë, e ndodhur në zonën e Salarisë, vijon të mbetet e mbushur me mister, ndërsa dëshmitë e dhëna deri më tani kanë hapur disa pista hetimi.
Katër personat që e shoqëronin Sarchin në momentin e ngjarjes, ortaku i tij Eqerem Braçe me dy djemtë dhe një banor i zonës që shërbente si udhërrëfyes, u pyetën disa herë nga policia e Gjirokastrës dhe u lanë të lirë pas mesnatës së kaluar.
Nga dëshmitë e tyre rezulton se udhëtimi me dy automjete fuoristradë u ndërpre papritur në një kthesë të rrugës malore, ku një person i paidentifikuar dyshohet se doli përpara dhe hapi zjarr. Fillimisht u dëgjuan dy të shtëna paralajmëruese, ndërsa më pas një plumb rikoshet goditi Sarchin në këmbën e djathtë, duke i çarë arterien kryesore, që i shkaktoi vdekjen. Gjurmët e gjakut në vendngjarje tregojnë se trupi i tij është tërhequr, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si ndodhi ngjarja.
Aktualisht, numri i të ndaluarve për t’u marrë në pyetje ka shkuar në 7 persona, të gjithë me dijeni të mundshme për lëvizjet e biznesmenit dhe rrethanat e ngjarjes.
Hetuesit po ndjekin disa pista: një konflikt i çastit për dritat e makinës, prania e armëve të gjahut te grupi i Sarchit, por edhe mundësia e ndonjë konflikti të mëparshëm që lidhet me biznesin e tij. Po ashtu, po ndiqet itinerari i tij 24-orësh mbi lëvizjet dhe kontaktet që ai ka pasur, për të zbuluar se kush kishte dijeni në lidhje me vendndodhjen e tij. Dyshimet janë se vrasësit ose bashkëpunëtorët në krim janë pjesë e rrethit të biznesmenit.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/