E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e efektivit Mekolli dhe plagosja e kolegut të tij, Prokuroria ngre 4 akuza ndaj Braçellarit, dyshime për shpërdorim detyre mbi zinxhirin drejtues të operacionit

Prokuroria e Korçës ka ngritur katër akuza të rënda ndaj Violand Braçellarit, i dyshuar si autori i vrasjes së efektivit të Forcave “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri, ngjarje e ndodhur më 4 qershor në Lozhan të Maliqit.

Akuzat që rëndojnë ndaj Braçellarin janë “Vrasjen e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” të mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ai është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa sipas Prokurorisë, ngjarja nisi pas kallëzimit të një çobani, i cili deklaroi se ishte dhunuar dhe kanosur me armë automatike nga Braçellari.

Në bazë të këtij kallëzimi, policia organizoi një operacion për kapjen e tij. Gjatë rrethimit të zonës ku ndodheshin stallat e bagëtive, Braçellari hapi zjarr ndaj forcave të rendit, duke shkaktuar vrasjen e efektivit të Forcave “Shqiponja” Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Adri. Pavarësisht thirrjeve të policisë për dorëzim, ai vazhdoi të qëllonte me armë, derisa u neutralizua dhe u arrestua pas shkëmbimit të zjarrit.

Organi i akuzës thekson se rrezikshmëria e lartë shoqërore e veprave penale, e kombinuar me faktin se Braçellari ishte i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe i shmangur drejtësisë për afro një dekadë, e bëjnë të domosdoshme mbajtjen e tij në burg.

Gjithashtu, Prokuroria ka ngritur dyshime se në organizimin e operacionit mund të jenë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, duke lënë të hapur mundësinë për hetime të mëtejshme mbi zinxhirin drejtues të aksionit.

Njoftimi i Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, u la në fuqi masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasin V.B.,i arrestuar në flagrancë si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në mjedise publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar nga nenet 79/b, 79/b e 22, 278/1 dhe 280 i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.673, nisën pas ngjarjes së ndodhur më 03.06.2026 në Malin e Bodesë gjatë operacionit për kapjen e personit në kërkim V.B., i dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/2 Kodi Penal.

Plani operacional bazohej edhe në bazë të kallëzimit të bërë nga ana e shtetasit A. K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e shtetasit V.B. në malin e Bodesë dhe që sipas kallëzimit të bërë prej tij, ai ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e V.B.

Për këtë arsye në datën 04.06.2026, në mëngjes rreth orës 07.00 forcat e DVP Korçë të organizuara sipas planit të operacionit të hartuar janë afruar në Malin e Bodesë afër vendit ku ka stallat ky shtetas. Gjatë rrethimit të ndërtesave që ishin në zonë, forcat e policisë u përballën me të shtënat me armë nga shtetasi V.B., nga të cilat humbi jetën punonjësi i policisë E.M. dhe u plagos një tjetër punonjës i policisë, shtetasi E.A. Shtetasi V. B. tentoi të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ishte plagosur dhe u kap disa metra poshtë stallave.

Ky shtetas qëlloi në drejtim të policisë, edhe pse punonjësit ishin të me uniformë policie dhe jelek antiplumb. Nga hetimet u konstatua se punonjësi i policisë i cili humbi jetën paraqiste një dëmtim në pjesën e gjoksit, si dhe në pjesën e shiritit varës tek supat.

Ndërsa po i jepnin ndihmën e parë, breshëria e armës vazhdonte edhe pse shtetasi V.B., dëgjonte që punonjësit e policisë bënin thirrje për dorëzim dhe se ishin forcat e policisë. Por ai vazhdonte të qëllonte me armë në drejtim të policisë dhe për pasojë gjatë shkëmbimit të zjarrit, u konstatua edhe punonjësi i policisë E.A., i cili u plagos në kokë.

Në lidhje me personin nën hetim shtetasin V.B., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, vlerëson se nisur nga rrethanat e faktit, të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të veprave penale, për të cilat ka dyshime të bazuara në prova se janë kryer nga personi nën hetim, si dhe për shkak të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të këtij shtetasi, i cili rezulton të jetë i dënuar më parë për disa vepra të tjera me rrezikshmëri shoqërore, si dhe bazuar në faktin se ky shtetas prej afro 10 vitesh i  shmangej drejtësisë, duke i’u fshehur zbatimit të masave të sigurimit të dhënë më parë ndaj tij, si dhe vuajtjes së dënimeve penale, shtetasi V.B., duhet të qëndrojë në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.

Gjithashtu, ka dyshime të bazuara se në rastin konkret mund të jenë konsumuar edhe elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit dhe masat e marra paraprakisht për zinxhirin drejtues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›