E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e ish-policit Santiago Malko, GJKKO dënon me 30 vite burg Leonard Dukën, shpall të pafajshëm vëllanë e tij

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dënimin me 32 vite burg të Leonard Dukës, autorit të vrasjes së ish-policit Santiago Malko, Gjykata e Posaçme (21 janar) e ka dënuar atë me 30 vite burg.

Dënimi ndaj Dukës, përfshin disa vepra penale, sikurse “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Po ashtu, GJKKO ka vendosur të shpall të pafajshëm Elis Dukës, vëllanë e Leonard Dukës, pasi nuk provohej kryerja e veprës penale, ndërsa ka dënuar me nga 25 vite burg Fatmir Hysenin, Aleksandër Baxhaku,  Oltian Loga dhe Dritan Aga.

Një ditë më parë SPAK kërkoi dënimin me 32 vite burg për Leonard Dukën, një prej autorëve të vrasjes së Santiago Malkos.

Avokatja e Dukës, Melina Gjeta, kundërshtoi konkluzionet e SPAK, duke deklaruar se ato nuk bazoheshin në prova të ligjshme, por në deduksione nga hetime të pjesshme dhe të paragjykuara. Sipas avokates, dëshmitë kryesore të paraqitura, përfshirë ato të Blendi Tetës dhe Ilir Selmanit, ishin dhënë nën presion dhe nuk mund të përdoren si prova përfundimtare.

Nga ana e tij, i pandehuri Leonard Duka mohoi akuzat, duke u deklaruar i pafajshëm.

 “Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar  nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia,” u shpreh ai.

Leonard Duka u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti.

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko ishte i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›