Vrasja në Durrës – ftoi shokët për drogë, u dhunua e u godit me thikë nga njëri prej tyre

Valbon Beqiraj, 51-vjeçari i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e së mërkurës nga nipi i tij në Durrës, ka humbur jetën si pasojë e dhunës dhe goditjeve me mjet prerës, thikë.
Konfirmimi vjen nga blutë e qytetit bregdetar, të cilat të enjten dhanë edhe detaje rreth ngjarjes, ku theksuan se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me thikë, si pasojë e të cilave dyshohet se ky Beqiraj ka humbur jetën.
Bëhet e ditur se në banesën ku ka ndodhur ngjarja, shtëpia e hallës së viktimës, viktima dhe të njohur të tij shkonin dhe konsumonin lëndë narkotike.
Dyshohet se nën efektin e drogës ka pasur një sherr mes viktimës dhe një personi tjetër, gjë që ka përfunduar më pas në vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiraj me thikë.
Policia e Durrësit fill pas ngjarjes, por edhe gjatë së enjtes, ka shoqëruar shumë persona për ngjarjen, midis të cilëve edhe autorin e ngjarjes.
Mbrëmjen e së mërkurës, konkretisht rreth orës 19:30, ishte nipi i viktimës ai që konstatoi trupin e pajetë të dajës së tij, baba i një fëmije të mitur, dhe njoftoi uniformat blu.
Këto të fundit, sapo arritën në vendin e ngjarjes, konkretisht në lagjen numër 12 të qytetit, bënë këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorit.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/