Vengu prezanton objektivat: Shqipëria qendër rajonale e industrisë së mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka prezantuar objektivat strategjike të mbrojtjes në kuadër të Programit Qeverisës 2025–2029, duke e cilësuar mbrojtjen si një nga shtyllat kryesore të mandatit të ardhshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, ai deklaroi se Shqipëria synon të kthehet në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke ndërtuar kapacitete të reja, forcuar partneritetet brenda NATO-s dhe modernizuar forcat e armatosura.
“Mbrojtja përbën një kapitull të rëndësishëm në Programin Qeverisës 2025-2029, ku objektivi madhor është që Shqipëria pritet të kthehet në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes.”-shkruan Vengu.
Në program parashikohet rritja e buxhetit të mbrojtjes me të paktën 0.15 pikë përqindjeje mbi normën aktuale prej 2.01% të PBB-së, si dhe vënia në funksion e industrisë ushtarake “Made in Albania”, me fokus në prodhimin vendas të municioneve, armatimit të lehtë, mjeteve të blinduara, sistemeve pa pilot dhe mjeteve për emergjencat civile.
Sipas ministrit, prioritet mbetet edhe zgjerimi i kapaciteteve detare, ku parashikohet shtimi i flotës me tre anije të reja dhe modernizimin e flotës ekzistuese.
Gjithashtu një tjetër prioritet për ministrin mbetet mbrojtja civile, që sipas tij, zë një vend të veçantë në program, ku përfshihen investime në dy avionë zjarrfikës, flotë tokësore të përforcuar dhe ngritja e katër qendrave rajonale të emergjencave civile.
Sa i përket zhvillimit të personelit ushtarak, parashikohet rritja e pagave deri në mesataren e NATO-s dhe shtimi i numrit të efektivëve.
“Rritje e numrit të Forcave të Armatosura”- është një nga pesë pikat prioritare që ka shpalosur ministri në postimin e tij.
Në fushën e infrastrukturës kritike dhe mobilitetit ushtarak, programi përfshin modernizimin e rrjeteve logjistike dhe përfundimin e investimeve në Korridorin VIII me pikënisje në Porto-Romano.
Mësohet se deri në vitin 2029, pritet të përfundojë kantieri i Spitalit të Traumës, të ngrihet Shkolla e Aviacionit në Vlorë, të ndërtohet Kampusi i Ri i Akademisë së Forcave të Armatosura, të krijohet Kompleksi i Inovacionit Ushtarak në Bërzhitë dhe të finalizohet Poligoni Ndërkombëtar në Bizë.
Ministri Vengu theksoi se këto masa do ta rendisin Shqipërinë me krenari krah aleatëve të saj.
/rtsh.al/