Vrasja në Fier, përcillet për në banesën e fundit efektivi i forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia

Efektivi i forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia, i cili mbeti i vrarë nga 23-vjeçari Azgan Mërnica përcillet sot për në banesën e fundit.
Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë ku do të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit, 28-vjeçarit, Novruz Cenalia. Më pas arkmorti me trupin e tij do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e fshatit Baltëz.
Gjithashtu, në homazhe kanë marrë pjesë ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku në nder të efektivit Novruz Cenalia.
Efektivi i policisë, Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23 vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati.
Mësohet se deri më tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në komisariat 12 persona për ngjarjen, kryesisht familjarë të autorit dhe mamaja e tij.
Kujtojmë që Novruz Cenalia u qëllua nga Azgan Mërnica, teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin.
Më herët u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.
Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, Mërnica është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një operacion i gjerë është shtrirë në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje-daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete në jug të vendit.
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e Azgan Mërnicës. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, pasi Policia e Shtetit ju garanton anonimatin.
/rtsh.al/