E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vrau çiftin e moshuar në Gjirokastër më 2024, Gjykata dënon autorin Thoma Mastora, ja sa burg do vuajë!

Thoma Mastora është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Gjirokastrës për vrasjen e dyfishtë të çiftit të moshuar Kosta dhe Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishtë të Dropullit.

Vendimi është dhënë këtë të mërkurë, më 4 nëntor 2026, në përfundim të procesit gjyqësor për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 2 maj 2024.

Viktimat, Kosta Ilia, 84 vjeç dhe bashkëshortja e tij Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, u gjetën të pajetë në banesën e tyre, me shenja dhune në trup. Për këtë ngjarje u arrestua Thoma Mastora, i cili dyshohej si autor i vrasjes së dy të moshuarve.

Gjykata e ka deklaruar fajtor Mastorën për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, duke e dënuar me 30 vite burg. Periudha e kaluar në paraburgim do t’i zbritet nga dënimi, ndërsa pjesën e mbetur do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Ndërkohë, për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit, gjykata vendosi pushimin e pjesshëm të procedimit penal, për shkak të zbatimit të ligjit për amnistinë. Gjykata vendosi gjithashtu që fishekët e sekuestruar në banesat e shtetasve V.I. dhe Th.M. të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa shuma monetare e sekuestruar në banesën e viktimave t’u kthehet trashëgimtarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›