Vriten 6 persona në SHBA, viktimat familjarë me autorin, 52-vjeçari vetëvritet pas përballjes me policinë

Gjashtë persona janë gjetur pa shenja jete në disa vende të ndryshme krimi në Muscatine, Iowa, në një ngjarje tragjike që policia amerikane po e heton si incident familjar.
Sipas autoriteteve, ngjarja ka nisur të hënën pasdite, kur policia u njoftua për herë të parë rreth mesditës për një incident në një banesë në Park Avenue. Në vendngjarje, efektivët gjetën katër persona të pajetë, të cilët kishin marrë plagë nga armë zjarri.
Shefi i Policisë së Muscatine, Anthony Kies, konfirmoi gjatë një konference për shtyp se i dyshuari për vrasjet është Ryan Willis McFarland, 52 vjeç, banues në Muscatine.
Sipas policisë, McFarland u largua nga vendngjarja menjëherë pas ngjarjes dhe më pas u lokalizua në Riverfront Trail, pranë urës për këmbësorë. Gjatë momentit të kontaktit me forcat e rendit, ai qëlloi veten për vdekje.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, autoritetet zbuluan edhe dy viktima të tjera: një burrë i vrarë në një banesë në Mill Street dhe një tjetër viktimë në bllokun 800 të Grandview Avenue, duke e çuar numrin total të viktimave në gjashtë.
Hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një incident brenda familjes dhe se të gjitha viktimat besohet të jenë anëtarë të familjes së të dyshuarit.
Distrikti Shkollor i Komunitetit të Muscatine konfirmoi se dy nga viktimat ishin punonjës të tij dhe dy të tjerë nxënës aktualë, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të thellë për komunitetin.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për një incident tragjik që ndodhi të hënën pasdite në komunitetin tonë, ku përfshihej familja McFarland”, thuhet në deklaratën e distriktit.
Në operacionin e gjerë hetimor janë përfshirë Departamenti i Policisë së Muscatine, Zyra e Sherifit të Qarkut Muscatine, Patrulla Shtetërore e Iowa-s, si dhe Divizioni i Hetimeve Kriminale i Iowa-s.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimi mbetet aktiv dhe po vijon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/