E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaka jashtë grumbullimit të Zvicrës, nën hetim për certifikatën e COVID-19

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka mbetur jashtë grumbullimit të skuadrës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndërsa ndaj tij është hapur një procedurë penale në Zvicër lidhur me një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, Prokuroria e Lucernit po heton dyshimet se Xhaka ka përdorur një certifikatë të falsifikuar ose të lëshuar në mënyrë të parregullt.

Hetimi lidhet me një mjeke në Lucernë, ordinanca e së cilës u bastis nga policia në vitin 2023. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan dokumente dhe materiale, të cilat po shqyrtohen në kuadër të procedurës penale.

33-vjeçari pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit.

Çështja daton në periudhën e pandemisë, kur Xhaka kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 në shtator 2021. Tashmë, rasti është rikthyer në vëmendjen e autoriteteve zvicerane për shkak të dyshimeve mbi vlefshmërinë e dokumentacionit të vaksinimit.

Granit Xhaka ka reaguar, duke konfirmuar se gjatë pandemisë së COVID-19 kishte blerë një certifikatë vaksinimi. Xhaka ka pranuar se në atë kohë kishte pasur dyshime dhe pasiguri të mëdha rreth vaksinës kundër COVID-19.

Deklarata e plotë e Xhakës:

Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dëshiroj të pronocohem personalisht.

Lidhur me vaksinimin kundër Covid-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha pasiguri të mëdha. Ndjeja një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i ndikuar nga frika dhe pasiguria.

Në këtë gjendje të trazuar shpirtërore, kam blerë një vërtetim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia të hapura përmes rrugës së paraparë.

Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq.

Unë marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i hapur për zbardhjen e kësaj çështjeje dhe bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›