E Enjte, 5 Nëntor 2026

Xhenio përfundon ndërtimin e urës 18 metra në Shkodër, nyje jetike për disa fshatra

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Batalioni Xhenio i Komandës Mbështetëse ka përfunduar ndërtimin e një ure tip “Bailey” me gjatësi 18 metra.

Ura lidh fshatrat Gjoç, Rragam dhe Mazrrek të Njësisë Administrative Guri i Zi në Shkodër.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndau dhe pamje nga ndërtimi i kësaj ure.

“Kjo urë me kapacitet mbajtës 40 tonë është një nyje jetike për më shumë se 400 banorë, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe lidhjet e tyre”, nënvizoi ministri Vengu.

E dëmtuar nga moti i keq që shoqëroi zonën e Shkodrës disa javë më parë, ura e fshatit Rragam që lidh dy zona të tjera u rikonstruktua plotësisht nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike e Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me forcat xheniere të ushtrisë.

Për administratorin e zonës dhe banorët, kjo është një punë që i shërben komunitetit për zgjidhjen e plotë të kësaj problematike të mbartur në vite.

Kjo urë e ndërtuar prej vitesh, kishte pësuar dëmtime të mëdha, ndërkohë që me reshjet e fundit u dëmtua plotësisht duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›