E Hënë, 2 Nëntor 2026

ZVA Shkodër, marrëveshje me universitetin për trajnimin e mësuesve dhe për laboratorët

Në këtë vit shkollor në bashkinë e Shkodrës është shtuar numri i shkollave që funksionojnë si qendra komunitare.

Nga 87 institucionet e arsimit parauniversitar, 34 prej tyre janë shkolla të tilla, ndërsa në 10 shkolla të tjera po zbatohet programi “Art dhe Zeje”.

Ky organizim i ri dhe profilizimi i shkollave e bën të domosdoshëm edhe trajnimin e mësuesve sipas profileve përkatëse.

Drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit (ZVA) Shkodër, Brisela Kadija, bën të ditur se procesi i trajnimit të mësuesve do të vijojë me mbështetjen e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Forcimi i bashkëpunimit mes arsimit të mesëm dhe atij universitar është përcaktuar si prioritet për këtë vit shkollor.

“Gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Universitetin e Shkodrës, do të vazhdojë formimi i vazhdueshëm profesional i mësuesve, që do të skedulohet sipas profileve, por edhe sipas organizimit e grafikut të caktuar, që bashkërendohet nga drejtoria rajonale dhe Universiteti i Shkodrës,” thotë znj. Kadija.

Forcimi i bashkëpunimit mes arsimit të mesëm dhe atij universitar është përcaktuar si prioritet për këtë vit shkollor. Gjatë takimeve të zhvilluara mes drejtuesve të ZVA-së dhe Universitetit të Shkodrës, është rënë dakord ndërmjet të tjerave që nxënësit e shkollave të mesme të kenë mundësinë e përdorimit të laboratorëve dhe të bibliotekës së universitetit, për t’i ndihmuar ata në mësimin praktik, hulumtimin shkencor dhe zhvillimin e njohurive të reja.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›