E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis shtrimi me asfalt i rrugës drejt liqenit të Kallabakut, banorët e mirëpresin investimin

Punimet për rrugën që lidh liqenin e Kallabakut duket se janë drejt përfundimit.

Sapo ka nisur edhe shtresa e asfaltit, duke i dhënë zgjidhje njërit prej problemeve shqetësuese për banorët e lagjes “Stanet e Novosejës”, por gjithashtu duke e afruar edhe më shumë këtë zonë turistike si porta hyrëse e “Shtegut të Ngjyrave”.

Për Imer Noken, një nga banorët e zonës, kjo rrugë ka sjellë një ndryshim të madh. Ai thotë se para ndërtimit të saj, banorët ishin të izoluar dhe nuk kishin mundësi të kryenin as nevojat e përditshme.

“Ka qenë rruga shumë, shumë e dobët. Edhe kur donim të shisnim ndonjë bereqet, patate a viç, a send, nuk vinin dot makinat,” rrëfen z. Noka.

Ndërtimi i rrugës tashmë u ka krijuar më shumë lehtësira. Është bërë më i lehtë edhe transporti i prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe bimëve medicinale, duke i dhënë një tjetër vlerë zonës.

“Me rrugën që po bëhet merr vlerë toka, çdo prodhim i kësaj zone. Bimët medicinale vijnë e lypin në vend. Nuk ka nevojë të dalim ne majë rrugëve. Plus turizmi, se është zonë e mbrojtur dhe këtu është shtegu i luleve,” thotë banori i Novosejës.

Rruga në fjalë është porta hyrëse e “Shtegut të Ngjyrave”, njërit prej destinacioneve më të frekuentuara, që pritet të marrë edhe më shumë vëmendje pas përfundimit të saj.

Me një gjatësi prej rreth 4 kilometrash, rruga do të plotësojë standardet e nevojshme me parametrat e sigurisë, sinjalistikën dhe elementet e tjera që e kompletojnë këtë investim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›