ZVICËR – Prokurorët urdhërojnë arrestimin e pronarit të barit në resortin Crans-Montana

ZVICËR, 9 janar /ATSH-DPA/- Prokurorët zviceranë kanë kërkuar paraburgim për pronarin e barit të resortit të skive Crans-Montana – ku 40 persona vdiqën për shkak të një zjarri gjatë festës së Vitit të Ri, duke përmendur rrezikun që ai të mund të arratisej.
“Bazuar në deklaratat e tij, historikun e tij të mëparshëm të punës dhe situatën e tij personale në Zvicër dhe jashtë vendit, zyra e prokurorit e konsideroi rrezikun e arratisjes si konkret”, tha zyra e prokurorit në Valais.
“Bashkëshortja e pronarit, e cila gjithashtu drejtonte lokalin, nuk konsiderohet si rrezik për arratisje dhe nuk do të vendoset në paraburgim”, thanë prokurorët.
Zjarri shpërtheu në orët e para të 1 janarit në barin “Le Constellation” në qytetin e Crans-Montana. Përveç viktimave, gati 120 persona u plagosën, shumica prej tyre rëndë.
Hetuesit besojnë se katastrofa u shkaktua nga një fishekzjarr i bashkangjitur në një shishe që i vuri flakën tavanit. //a.i/