ZYRTARE/ I kthyer në “bomber”, Barça “shpërblen” Raphinha me kontratë të re, kapiteni premton trofe

I kthyer në “bomber”, në një pikë referimi në ekipin e Hansi Flick, Raphinha po përjeton sezonin e tij më të mirë në karrierë, të paktën deri me tani. Forma e shkëlqyer e kapitenit është shpërblyer nga drejtuesit e klubit me një kontratë të re. Me anë të një deklarate për mediat klubi blaugrana bëri zyrtare rinovimin e kontratës me Raphinha-n deri më 30 qershor 2030. Kujtojmë që kontrata e tij aktuale i skadonte në qershor 2028.
Raphinha u transferua në Barcelonë nga Leeds në vitin 2022 dhe me këtë kontratë të re do të plotësojë një cikël 8-vjeçarë. Në krah të presidentit Laporta, sulmuesi brazilian u shfaq i lumtur që do të vijojë karrierën e tij te Barcelona:
“Shpresoj të qëndroj këtu edhe për shumë vite të tjera. Shpresoj që këmbët të më përgjigjen pasi dua të bëj gjithçka për këtë klub. Është e vërtetë që po zhvilloj një sezon pozitiv edhe pse nuk jam ende në 100% të formës time. Më mungon ende një trofe, Champions, por dua të fitoj sa më shumë të jetë e mundur me këtë fanellë deri në 2030”, u shpreh ndër të tjera Raphinha.
Në një rol të ri këtë sezon, si një numër 9-të, braziliani ka shënuar 19 gola në total në të gjithë kompeticionet, 15 prej të cilave vetëm në La Liga ku aktualisht është edhe golashënuesi më i mirë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb