Zaçaj: Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është thjesht dekor institucional

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi të hënën se vendimet e marra vitin e fundit nga institucioni që ajo drejton janë shprehje e qartë e “përkatësisë së pakthyeshme” nga sistemi evropian i të drejtave të njeriut.
Deklarata e kryegjyqtares Zaçaj u bë me rastin e konferencës për 30-vjetorin e partneritetit mes Shqipërisë, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias.
“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është thjesht dekor institucional. Ky është mësimi i 30 viteve të partneritetit tonë me institucionet europiane. Të drejtat e njeriut nuk janë një ideologji apo një sistem mendimesh abstrakte. Ato janë pjesë e pandarë e qenies sonë, të cilat marrin kuptim vetëm kur kthehen në veprime konkrete dhe zbatohen nga të gjitha institucionet shtetërore.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është një dokument unik që pasqyron vlerat themelore të demokracisë europiane. Si akti i parë i Këshillit të Europës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ajo është kthyer në trashëgiminë tonë, sepse afirmon përkushtimin e përbashkët për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në vitin 1995, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës dhe vetëm një vit më vonë ne ratifikuam Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky ishte një akt politik dhe juridik me peshë historike, që tregoi angazhimin tonë për të ndërtuar një shoqëri bazuar mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut. Nga aktet e para konkrete në këtë drejtim ishte shfuqizimi i dënimit me vdekje si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me vlerat e Konventës, një vendim i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese që plotësoi edhe një angazhim juridik dhe politik të shtetit shqiptar. Kushtetuta shqiptare e thërret drejtpërsëdrejti dhe e bën pjesë të saj të brendshme Konventën, jo vetëm për shkak të epërsisë së saj në të drejtën e brendshme dhe ligjeve që bien ndesh me të, por sepse lidhur me kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore, ajo barazohet me vetë Kushtetutën, e cila parashikon se këto kufizime në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë ato që ka parashikuar Konventa.
Këtu vlen të përmendet se jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk është fakultative apo thjesht orientuese. Ajo është detyruese. Ajo përbën një burim të drejtpërdrejtë të së drejtës dhe nuk mund të anashkalohet nga asnjë institucion i pushteteve të shtetit, as nga gjykatat, as nga prokuroria dhe as nga organet administrative. Standardet dhe parimet e elaboruara jo vetëm nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe nga Komisioni i Venecias, plotësojnë dhe orientojnë sistemin tonë juridik, veçanërisht kur ligji është i mangët apo i paqartë. Ato shërbejnë si garanci për mbrojtjen efektive të lirive themelore dhe si shtyllë ndihmëse për interpretimin kushtetues.
Gjykata Kushtetuese e ka reflektuar këtë qasje gjatë veprimtarisë së saj shumëvjeçare, por edhe me një sërë vendimesh të marra gjatë këtij viti, të cilat ajo ka interpretime të rëndësishme dhe konstatoi edhe cenimin e të drejtave të individëve në disa prej tyre, siç janë: sekuestrimi i provave dhe kontrolli i banesës; korrespondenca dhe mbrojtja e saj nga sekuestrimi arbitrar, standardi i dyshimit të arsyeshëm dhe masat për sigurimin personal. Këto vendime, në fakt, janë shprehje e qartë e përkatësisë sonë të pakthyeshme në sistemin evropian të të drejtave të njeriut,” u shpreh Zaçaj.
/rtsh.al/