E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zbardhen detaje të reja për vdekjen e këngëtares Lauren Bennett, yllit të hitit “Party Rock Anthem”, dyshohet se…

Janë zbardhur detaje të reja lidhur me vdekjen e këngëtares britanike Lauren Bennett, e njohur për pjesëmarrjen në hitin ndërkombëtar “Party Rock Anthem” të grupit LMFAO. Sipas raportimit të TMZ, autoritetet dyshojnë se këngëtarja i ka dhënë fund jetës. Ajo u gjet e vdekur më 29 maj në qytetin e saj të lindjes, Meopham, në Kent të Anglisë. Bennett ishte vetëm 36 vjeçe.

lauren

Sipas të njëjtit raportim, trupin e saj e gjetën partneri i saj prej vitesh, balerini dhe aktori Kenny Wormald, i njohur për rolin në filmin “Footloose”, si dhe babai i saj, Richard Bennett.

Hetimet zyrtare për vdekjen e artistes nisën në qershor, ndërsa një muaj më vonë vetëvrasja u konsiderua si një nga pistat kryesore që po shqyrtonin autoritetet.

Lajmi për ndarjen e saj nga jeta u bë publik më 6 korrik nga ish-koleget e grupit G.R.L., të cilat ndanë një mesazh prekës në Instagram.

“Zemrat tona janë thyer dhe nuk mund ta shprehim me fjalë se sa shumë do të thoshte Lauren për ne”, shkruan ato.

“Do ta mbajmë përgjithmonë në zemrat tona dashurinë, të qeshurën dhe kujtimet e panumërta që na dhuroi. Shpirti i saj i bukur preku jetën e shumë njerëzve dhe mungesa e saj do të ndihet thellësisht. Pusho në paqe, Lauren e dashur. Do të jesh gjithmonë në zemrat tona”, thuhej në dedikimin e tyre.

Babai i këngëtares ngriti shqetësime për kujdesin shëndetësor

Pas vdekjes së së bijës, babai i saj, Richard Bennett, bëri të ditur se Lauren kishte përjetuar disa muaj më parë një reagim të rëndë ndaj një medikamenti me recetë, pa specifikuar emrin e ilaçit.

Ai kritikoi gjithashtu Shërbimin Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS), duke pretenduar se vajza e tij nuk kishte marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor gjatë pesë muajve përpara vdekjes.

“Si familje, i qëndruam pranë dhe bëmë gjithçka që mundëm për ta mbështetur”, kishte shkruar ai në Instagram.

“Ne nuk kemi asnjë dyshim për rrethanat e vdekjes së saj, por ndiejmë një zhgënjim të thellë që, gjatë pesë muajve, profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet e NHS nuk arritën t’i ofronin kujdesin e duhur në periudhën kur ajo kishte më shumë nevojë”, kishte deklaruar babai i këngëtares.

Richard Bennett e cilësoi të bijën si “dashurinë e jetës së tij dhe krenarinë më të madhe”, duke theksuar se familja do ta ndiejë mungesën e saj çdo ditë.

Ai shprehu gjithashtu dëshirën që Lauren të kujtohet për arritjet në muzikë, talentin dhe personalitetin e saj, ndërsa trashëgimia artistike të vazhdojë të jetojë përmes këngëve dhe njerëzve që ajo la pas.

Këngëtarja la pas vajzën e saj shtatëvjeçare, Harlow, të cilën e kishte nga marrëdhënia me Kenny Wormald.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›