Zbardhet “Paketa e Paqes”- Washington Post: Ukraina në BE në 2027 dhe garanci sigurie si të NATO-s, por me “çmimin” e territoreve

Një Ukrainë sovrane, anëtare e Bashkimit Evropian brenda vitit 2027, me ekonomi të rindërtuar nga Perëndimi dhe siguri të garantuar nga SHBA, por që duhet të pranojë realitetin e hidhur të humbjes së territoreve.
Kjo është skica e marrëveshjes së paqes që po diskutohet intensivisht në prapaskenë, sipas kolumnistit të njohur të Washington Post, David Ignatius. Duke cituar burime të larta amerikane, ukrainase dhe evropiane, Ignatius zbardh detajet e një “pakete negociuese” që përbëhet nga tre dokumente kyçe: plani i paqes, garancitë e sigurisë dhe plani i rimëkëmbjes ekonomike.
Integrimi rrufeshëm në BE
Një nga pikat më befasuese të draftit është afati për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian: viti 2027. Megjithëse ky propozim shqetëson disa fuqi evropiane, administrata e re e Donald Trump beson se mund të neutralizojë veton e Hungarisë, kundërshtarit kryesor të Kievit brenda bllokut.
Anëtarësimi shihet si mekanizmi kyç jo vetëm për investime, por edhe për të detyruar Ukrainën të pastrojë kulturën e korrupsionit në ndërmarrjet shtetërore.
Garanci “Neni 5”, por pa NATO-n
Për sa i përket sigurisë, SHBA ofron një formulë hibride. Uashingtoni do të nënshkruajë garanci sigurie “të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s” (një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve), të cilat Ukraina kërkon të ratifikohen nga Kongresi Amerikan. Vendet evropiane do të nënshkruajnë garanci të veçanta.
Ushtria ukrainase parashikohet të ketë një forcë prej 600,000 deri në 800,000 ushtarësh. Kievi refuzon kufizimet kushtetuese të kërkuara nga Moska, duke lënë hapësirë për formacione shtesë si Garda Kombëtare.
Harta e re dhe “Modeli Korean”
Pika më e dhimbshme mbetet ajo territoriale. Sipas burimeve, “shkëmbimet territoriale” janë të pashmangshme.
Rusia kërkon që Ukraina të lëshojë rreth 25% të rajonit të Donetskut që ende kontrollon.
Argumenti i ekipit të Trump është pragmatik dhe i ftohtë: Ukraina rrezikon ta humbasë atë territor në betejë gjatë 6 muajve të ardhshëm, ndaj më mirë ta lëshojë tani për të shmangur viktima.
Zgjidhja për ngërçin ligjor të Zelenskyt (i cili thotë se nuk ka të drejtë të lëshojë toka) është “Modeli Korean”: Krijohet një Zonë e Demilitarizuar (DMZ) përgjatë vijës së armëpushimit, e ngjashme me atë mes dy Koreve. Ukraina nuk e njeh ligjërisht humbjen e territorit, por pranon realitetin faktik në terren.
SHBA në Zaporizhia?
Një detaj surprizë në negociata lidhet me centralin bërthamor të Zaporizhias, më i madhi në Evropë. Po diskutohet mundësia që menaxhimin e objektit ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët ukrainas e pëlqejnë këtë ide, pasi prania amerikane aty do të shërbente si një “mburojë” apo pengesë fizike kundër çdo agresioni të mëtejshëm rus në atë zonë.
/rtsh.al/