Zbardhet vrasja me eksploziv në Shkodër, 4 të arrestuar

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka zbardhur vrasjen me lëndë eksplozive të H. Y., e kryer më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani” dhe ka vënë në pranga 4 persona.
Policia bëri të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Shadows”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: G. B., 27 vjeç; E. I., 27 vjeç; E. H., 25 vjeç; Gj. Z., 24 vjeç.
“Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y”, njoftoi policia.
Sipas policisë “gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop”.
Policia bëri të ditur se vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.
/m.q/j.p/r.e/