E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulim në Parkun e Amantias në Vlorë, del në dritë muri rrethues i qytetit antik

Në Parkun Arkeologjik të Amantias, në Vlorë arkeologët kanë zbuluar një element të panjohur më parë: murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shek. III para Krishtit dhe shkatërruar në shek. VI pas Krishtit.

Ky element i ri hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir.

Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Vlorë njoftoi këtë të enjte se  përveç këtij zbulimi, u realizuan edhe ndërhyrje restauruese të domosdoshme, për mbrojtjen e varreve monumentale, si dhe punime të tjera konservuese, mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, të cilat cenoheshin nga ngricat  apo shiu.

Zbulimet e reja arkeologjike, si muri rrethues i qytetit të poshtëm të Amantias dhe elementë të tjerë të organizimit urbanistik, së bashku me ndërhyrjet restauruese në varret monumentale dhe objektet e tjera të nxjerra në dritë, pasurojnë edhe më shumë peizazhin arkeologjik të Parkut.

Amantia, ka qenë një qendër e rëndësishme e  krahinës ilire të Jugut dhe për një kohë të gjatë sipas historianëve ka pasur një jetë ekonomike dhe shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale dhe shpirtërore të pasur.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›