Zbulohen lojëra fati të paligjshme dhe drogë, arrestohet një efektiv policie dhe dy persona në Fushë Krujë

Një punonjës policie dhe dy shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi dyshohen për përfshirje në organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrolleve u sekuestruan pajisje elektronike, lëndë narkotike dhe municion.
Në pranga ra Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës. Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Po ashtu u arrestuan Sabah Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, i padënuar më parë, si dhe Fatmir Stafuga, po banues në Arrameras. Të dy akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në ambientet që ishin objekt i hetimit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër pajisje elektronike të dyshuara se përdoreshin për lojëra fati, dy serverë kompjuterikë, një pajisje DVR, pesë qese me lëndë të dyshuar narkotike me peshë totale 2.22 gramë, gjashtë qese të vogla me lëndë të dyshuar narkotike me peshë totale 4.41 gramë, si dhe tre telefona celularë.
Sipas AMP-së, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
/rtsh.al/