Zbulohet arsenal armësh në Fier, arrestohet 38-vjeçari

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Policia e Fierit zbuloi sot një bazë kriminale në lagjen “Kastriot”, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontingjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.
Policia sekuestroi 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Në pranga u vu 38-vjeçari M.R, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
“Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale”, njoftoi policia.
Sipas policisë nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar: 10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator; 1 armë zjarri pistoletë; 1 armë zjarri pistoletë automatike; 2 silenciatorë; 9 karikatorë automatiku; 3 karikator pushke; 2 krehra pistolete; sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
/m.q/a.f/