E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet baza e falsifikimit të shasive

Autori i Lajmit: red.
Zbluohet baza e falsifikimit të shasive. Policia e Durrësit ka goditur bazat e falsifikimit të shasive të automjeteve si dhe trafikimin e mjeteve motorike, gjatë një operacioni të zhvilluar. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve në akset kryesore rrugore si atë Durrës-Tiranë në të dy senset e lëvizjes, në zonën e Shijakut, në segmentin rrugor Fushë-Krujë - Laç, në zonën e Plepave, brenda qytetit të Durrësit, si në pikat e shitjes, varrezat e serviset e automjeteve të ndryshme, kanë bërë të mundur bllokimin e 15 automjeteve, të cilat rezultuan të parregullta. Sipas të njëjtave burime, mësohet se automjetet e bllokuara nga policia janë të tipeve të ndryshme, kryesisht prodhime të viteve të fundit, ndërsa pronarët e tyre janë nga rrethe të ndryshme të vendit. Sipas të njëjtave burime mësohet se për automjetet e bllokuara ashtu si edhe për pronarët, policia e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe origjinën e automjeteve. Gjithashtu, gjatë një kontrolli të ushtruar në një numër të konsiderueshëm pikash varrezash, policia ka bërë të mundur bllokimin e pjesëve të çmontuara të një automjeti fuoristrade tip “Mercedes Benz” ML 270, prodhim i vitit 2001, i cili nga verifikimet rezulton të jetë i vjedhur në Itali.
Lidhur me këtë rast filloi procedimi penal për veprën penale të trafikut të mjeteve motorike ndaj pronarit të servisit, shtetasit Kujtim Keci, 50 vjeç, me banim në Shijak Durrës.
Krahas punës së bërë nga shërbimet në drejtim të evidentimit të rasteve të trafikimit të automjeteve, janë konstatuar edhe një sërë automjetesh, të cilat kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion apo edhe me shkelje të ndryshme të rregullave të Kodit Rrugor. Konkretisht, janë konstatuar nga shërbimet 257 raste shkeljesh të normave të kodit rrugor për të cilat drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar administrativisht.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›