Zbulohet “foleja” e prostitucionit në Fier, arrestohen dy shtetase nga Kolumbia

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier ka finalizuar një operacion kundër veprimtarisë së paligjshme të prostitucionit, duke vënë në pranga dy shtetase me origjinë nga Kolumbia.
Të arrestuarat janë shtetaset D.C., 31 vjeçe dhe D.C., 20 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira dhe të përshtatur për këtë aktivitet.
Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan një sasi parash, të dyshuara se ishin përfituar nga veprimtaria e paligjshme, si dhe 6 telefona celularë që do t’i nënshtrohen hetimeve.
Në kuadër të këtij procedimi penal, 3 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të prostitucionit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë vijojnë.