E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS apel të rinjve: Votoni, mos e humbni këtë mundësi

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Elena Kace, në një deklaratë për medie nga selia e PS-së, përsëriti apelin ndaj të rinjve për të marrë pjesë në votime.

Ndërsa kanë mbetur vetëm pak minuta deri në mbylljen e orarit zyrtar të votimit, Kace u shpreh se “ka ngelur shumë pak kohë deri në orën 7:00, por ka kohë prapë që ju të votoni”.

“Të rinj e të reja, studentë e profesionistë të rinj. Ka ngelur shumë pak kohë deri në orën 7:00, por ka kohë sa të duash që ju të votoni. Lini librat nëse jeni duke mësuar, merrni pak minuta pushim nëse jeni duke punuar, lini kafenetë, parqet e çfarëdo jeni duke bërë dhe votoni! Votoni, votoni, votoni”, tha ajo.

Kace tha se të rinjtë e të rejat kanë më shumë për të humbur apo fituar nga kjo votë se kushdo tjetër.

“Prandaj mos e lini këtë vendimmarrje në dorë të të tjerëve. Bëni detyrën tuaj qytetare, votoni sepse kjo votë është për të gjithë ata që duan një Shqipëri europiane e të mundësive. Dhe ju kujtoj, edhe pse koha është e shkurtër, nëse ju arrini në qendrën e votimit deri në orën 7:00, askush nuk ju ndalon dot që të ushtroni të drejtën e votës. Prandaj nxitoni, mos e humbni këtë mundësi”, tha ajo.

Një thirrje të veçantë, Kace i bëri të rinjve të Vlorës.

“Sot Vlora ishte kryeqyteti i gjithë botës! Qindra miliona shikues të Giro d’Italia patën sot mundësinë të shohin transformimin e Vlorës. E pra tani që të gjithë mund të lëvizin lirisht në qytet e që gara mbaroi, nxitoni drejt qendrave të votimit për të hedhur një votë dhe mos harroni pavarësisht orarit për sa kohë jeni aty e ka njerëz në radhë në qendrat e votimit ju do mund të votoni! Nxitoni edhe këto 30 minuta që kanë ngelur”, tha ajo.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›