E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS apel qytetarëve të votojnë: Bëni detyrën tuaj qytetare

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe, përmes një deklarate për mediet, përsëriti sot apelin ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

Kur dita e votimit po shkon drejt mbylljes, Çepe u shpreh se ka ende kohë të mjaftueshme për të votuar.

“Prandaj ngrihuni vetë, por merrni edhe një familjar, një të afërm, një mik, e shkoni për të votuar. I bëjmë thirrje çdo të riu e të reje që të gjejnë pak kohë e të shkojnë për të votuar, sepse nga vota e tyre varet drejtimi ku do të vazhdojë të ecë Shqipëria”, tha ajo.

Çepe u bëri thirrje çdo burri e çdo gruaje, atyre që sot janë duke shijuar pushimin e pasdites apo atyre që sot janë në punë të gjejnë pak minuta dhe të bëjnë detyrën e tyre qytetare.

“Me votën tuaj vendosni nëse Shqipëria do të avancojë drejt Europës apo do të humbasë kohë e vite të çmuara”, tha ajo.

Mbi të gjitha, Çepe i bëri thirrje “çdo prindi, çdo gjyshi e gjysheje, që të gjejnë pak kohë e të shkojnë për të votuar sepse kjo votë do të thotë shumë për të ardhmen e fëmijëve e nipërve të tyre”.

“Qindra mijëra shqiptarë e shqiptare e kanë bërë tashmë detyrën e tyre qytetare duke votuar – bashkohuni edhe ju me ta. Qendrat e votimit janë ende të hapura. Mos harroni: nëse ju nuk votoni, dikush tjetër do të vendosë për ju”, shtoi ajo. /m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›