Zekthi: “Rama po i bën dëm vetes, dëmtimi i turizmit është një budallallëk”

Analisti Fitim Zekthi ka komentuar protestat e ditëve të fundit në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, duke i cilësuar ato si një pasqyrim të gjendjes së rëndë të vendit dhe të problemeve reale të shqiptarëve.
Ai u shpreh se kjo është një protestë që nuk mund të ndalet nga kryeministri Rama, pasi sipas tij, kreu i qeverisë ka humbur komunikimin me qytetarët:
“Protesta përfaqëson shqiptarët, problemet reale të tyre dhe gjendjen e rëndë të vendit. Kjo është një protestë që nuk e ndalon dot kryeministri Rama, sepse ka humbur komunikimin dhe njerëzit janë të bindur plotësisht se mund t’ja dalin.”
Zekthi shtoi se Rama ka humbur betejën e komunikimit me shoqërinë dhe se mënyra se si po reagon është e pakuptimtë:
“Unë mendoj se kryeministri e ka humbur krejtësisht betejën e tij të komunikimit me protestuesit dhe me shoqërinë, sepse ata po e çojnë përpara gjithë shoqërinë shqiptare. Mënyra se si po komunikon kryeministri për mua është komplet e pakuptimtë dhe po i bën dëm vetes.”
Duke iu referuar deklaratave të Ramës se protestat dëmtojnë turizmin dhe stabilitetin ekonomik, analisti i cilësoi ato si të papranueshme:
“E para, ajo që ai thotë se protesta po dëmton turizmin apo stabilitetin ekonomik të vendit është duke bërë një budallallëk. Nëse këtu ka një regjim, sikurse thonë protestuesit, një qeveri që mbron të korruptuarit, çfarë do të thotë kjo që po dëmtohet turizmi?”
/rtsh.al/