E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit/ Gazetari zbulon në Quo Vadis skemën e Ramës, ja roli i votës së diasporës

Ditën e nesërme, më 11 prill, një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, opozita do të hapë zyrtarisht fushatën. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të hapë fushatën në orën 19:00 në sheshin “Nënë Tereza”.

Ndërkohë një ditë më pas, më 12 prill, do të çelë fushatën Partia Socialiste. Kryeministri Edi Rama njoftoi se në orën 12:00, socialistët do të mblidhen në Sheshin Skënderbej. Kjo datë është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, pasi në fokus të fushatës së PS është “Shqipëria 2030 drejt BE”.

Të ftuarit në studion e Quo Vadis në Vizion Plus komentuan risitë e fushatës elektorale si dhe parashikuan sa mandate do të fitojnë forcat kryesore.

Gazetari Denis Minga tregoi se Rama po përdor një skemë për garën e 11 majit, ku rolin kyç e ka vota e diasporës. Ai tha se votat që PS do i humb nga vendasit, do i “rrëmbejë” nga diaspora.

Ndërsa, gazetarja Enkelejda Mema u shpreh se PS pretendon të ruajë 18 mandate si dhe synon të marrë edhe të 19-in.

Mema shtoi se pritet një betejë e ashpër në terren mes dy partive kryesore PS-PD.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Çfarë pretendon Partia Socialiste në 11 maj?

Mema: Pretendon të ruajë 18 mandatet dhe synon edhe të 19-in. Në qarkun e Tiranës do të jetë gara më e bukur dhe më interesante, sepse kemi edhe parti të tjera që kanë peshë, jo vetëm PD dhe PS. Ka premisa për të prodhuar mandate. Në 30 ditët e fushatës, dy forcat kryesore politike do të jenë më të egra në terren. Kam prirje të besoj se forcat e reja do të marrin një mandat, që të kemi zëra të rinj në Parlament.

Minga: Rama tha se do të marrë 77 mandate, pra edhe ai e ka kuptuar që nuk është më në vitin 2021. Rama tha se do të marrë 1 milion vota, të cilat nuk i merr dot. Dhe këto 1 milion vota nuk përkthehen në 77 mandate, por mbi 80. PD ra në grackën e Ramës. Rama e ka ditur që nga 800 mijë ka shkuar në 700 mijë vota dhe këto 100 mijë vota do të përpiqet t’i rikuperojë me votën e diasporës. Kjo është taktika e tij elektorale.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›