Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Haradinaj prezanton listën e kandidatëve të AAK-së për deputet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar ekipin me të cilin do të kërkojë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kreu i partisë, Ramush Haradinaj, ka bërë publike listën e kandidatëve, duke konfirmuar se AAK do të garojë me numrin 129 dhe nën sloganin “Krah teje”.
Në prezantimin e ekipit, ish-kryeministri Haradinaj theksoi profilin e përfaqësuesve që i duhen vendit në këtë moment politik.
“Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë. Ashtu siç edhe qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik. Sa i përket radhitjes në listë, në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues, 1/3 të kandidatëve u janë vendosur numrat duke pasur si kriter votën nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërsa për 2/3 te kandidatëve në listë është tërhequr shorti. Secili dhe secila në këtë listë e ka vlerën e vet dhe meriton votën e qytetarëve të Kosovës. ,” shkroi Haradinaj në rrjetet sociale.
/rtsh.al/