Zgjedhjet e 9 Nëntorit/ Këta janë kandidatët e PS-së, Opozita garon si e “pavarur”

Teksa dje përfundoi afati për regjistrimin e kandidatëve në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve sot janë zyrtarizuar emrat që do të garojnë në 5 bashki në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
Dokumentet dhe firmat mbështetëse të të pavarurve janë dorëzuar në KQZ dhe KZAZ-të përkatëse, të cilat do të bëjnë verifikimet dhe më pas do të kryejnë regjistrimet përkatëse.
EMRAT:
Në Vlorë, mazhoranca ka propozuar Brunilda Mersinin, ndërsa PD do të mbështesë Dionis Sotën. Gjergji Nika, i pavarur (larguar nga PD)
Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca. Ndërsa Opozita do të mbështesë kandidatin tjetër të pavarur Pavlo Shkarpa
Për bashkinë e Cërrikut, Partia Socialiste ka propozuar Florenc Dokën, ndërsa i pavaruri Amarildo Hoxha do të marrë edhe mbështetjen e opozitës.
Po në këtë bashki do të kandidojë nën logon e Partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet” edhe Eligert Hima.
Në bashkinë e Matit, PS ka propozuar kandidatin Altin Bojni, ndërsa kryetarja e Gruas së PS, Suzana Pasha shpalli kandidaturën si e pavarur. Ndërsa PD do të mbështesë kandidaturën e Eduart Brahilikës, edhe ky si i pavarur.
Në Tepelenë, për PS kandidon Gramoz Sako, ndërsa i pavaruri Gabriel Guma do të ketë edhe mbështetjen e opozitës.
Kujtojmë se në bashkinë e Tiranës, PS ka propozuar Ogerta Manastirliun, pozita do të mbështesë të pavarurin Florian Binaj, ndërsa Lëvizja Bashkë do të kandidojë me kreun e saj Arlind Qori.
Në bashkitë e Beratit, Tepelenës dhe Matit, zgjedhjet zhvillohen për shkak të largimit të kryebashkiakëve si pasojë e kandidimit përkatësisht të Ervn Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malaj në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ku fituan edhe mandatin e deputetit.
Ndërkohë që Ermal Dredha dha dorëheqjen si kryebashkiak i Vlorës ndërsa Andis Salla la bashkinë e Cërrikut për tu bërë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.