E Premte, 6 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 9 majit, KQZ synon projekt-pilot për votimin nga banesa për personat me aftësi të kufizuara - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e krijimit të një mekanizmi që do t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuara të ushtrojnë të drejtën e votës nga banesa.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se në KQZ u zhvillua sot një takim me eksperten Bardhylka Kospiri, drejtuese e Fondacionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF), Blerta Drenofcin, si dhe përfaqësues të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.

“Folëm për aksesueshmërinë në zgjedhje dhe u ndalëm te zgjedhësit me aftësi të kufizuara që për shkak të kufizimeve të rënda fizike nuk mund të dalin nga banesa për të votuar. Synimi ynë i përbashkët është që ata të votojnë që në zgjedhjet e 9 majit 2027, mundësisht përmes një projekti-pilot në disa bashki”, tha Celibashi.

Sipas tij, KQZ e mbështet plotësisht këtë nismë dhe do të punojmë me ADRF-në për ndryshimet ligjore që do t’i propozohen Kuvendit të Shqipërisë.

“Bashkëbiseduam me ADRF-së mbi: të dhëna statistikore për numrin dhe shpërndarjen e këtyre zgjedhësve; një analizë të kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar; mekanizma konkretë votimi, si bazë për propozimin që do t’i dërgohet Kuvendit”, theksoi Celibashi.

Ai nënvizoi se askush nuk duhet të mbetet jashtë procesit zgjedhor për shkak të barrierave fizike.

/m.q/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›