Thirrjet për djegien e SHQUP-it, AMA gjobit televizionin për nxitje të dhunës - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gjobitur një televizion, pasi gjatë një debati televiziv është transmetuar një deklaratë që bënte thirrje për djegien e selisë së Partisë Demokratike (ish-SHQUP-i).
Rasti lidhet me diskutimin për thyerjen e selisë së PD-së në Shkodër nga studentët, ku një prej të pranishmëve është shprehur: “Mirë ia kanë bërë, flakën t’ia vënë dhe asaj. T’ia vënë dhe SHQUP-it këtu njëherë”.
Deklarata e shfaqur në ekranin televiziv është bërë publike në faqen e Instagramit të kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi përmes një videoje të animuar. Në këto materiale nuk identifikohet televizioni, por evidentohet vetëm shkelja e kryer.
Vendimi për gjobitjen e televizioneve për nxitje të dhunës ka shkaktuar reagime të ndryshme ditët e fundit, ndërsa nuk kanë munguar akuzat se masat e marra nga AMA mund të cenojnë lirinë e fjalës.
Ndërkaq në videot e publikuara në faqen e kryetares, Autoriteti i referohet ligjit nr. 97/2013, i ndryshuar, i cili ndalon transmetimet që justifikojnë dhunën dhe detyron mediet të respektojnë etikën dhe të mos transmetojnë programe që mund të nxisin vepra penale.
/k.s/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
