E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Tiranë, Klosi: Presim vendimin e Kushtetueses

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, u shpreh se për zgjedhjet për bashkinë e Tiranës do të presin vendimin e Kushtetueses dhe pastaj datën e re të përcaktuar nga Presidenti.

“Ne po përgatitemi sikur zgjedhjet të jenë nesër. Nuk është se ne frigohemi nga data, sa më shpejt ajo datë të jetë, aq më mirë do ishte për qytetarët. Kurse për ne si forcë politike do të presim vendimin e Kushtetueses dhe pastaj datën e re të Presidentit, por ashtu siç llogaritë duken i bie që mesi i dhjetorit të jetë data e mundshme për garën e Tiranës”, tha  Klosi gjatë një interviste televizive.

Klosi bëri të ditur se, PS po vijon fushatën në terren për të kuptuar nevojat e qytetarëve.

Ai nënvizoi se viti i ri duhet ta gjejë Tiranën me një kryetar të ri bashkie, pasi qyteti ka nevojë për një drejtues që të shtyjë përpara projektet transformuese.

“Po tani data 9 edhe sipas KQZ ka rënë për Tiranën. Ne kemi garë në 5 bashki të tjera. Por për PS, në parim nuk është problem se kur është data. Ne po vazhdojmë përgatitjet dhe unë jam pjesë e skuadrës së Tiranës për të mbështetur më së miri përgatitjet në gjithë territorin e saj”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, puna është intensive dhe po punohet fort.

“Por ne nuk dimë datën, e gjitha varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por besoj që ky vit do ta gjejë dhe duhet ta gjejë Tiranën me kryetar të ri bashkie, pasi realisht qyteti ka nevojë për një drejtim më të plotë për punët e bashkisë, për atë çfarë qytetarët presin. Dhe prandaj dëshira jonë është të ndodhin sa më shpejt ato zgjedhje”, tha Klosi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›