Noka: 11 maji farsë, vota e lirë u asgjësua

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi sot në një intervistë televizive se qeveria nuk mendon të qeverisë shqiptarët, por që nga dita e parë vjedh për t’u pasuruar dhe për të blerë zgjedhjet e radhës.
Sipas tij, 11 maji tregoi që vota e lirë u asgjësua.
“Paratë e drogës vendosën për fatin e shqiptarëve dhe VKM-të e shpejta për të blerë me 100 euro votën e pensionistëve dhe për falje gjobash, si dhe qindra milionë euro të tjerë që u shpërndanë me tendera e koncesione për të devijuar vullnetin e shqiptarëve”, tha Noka.
Kur u pyet nëse opozita nxori ndonjë përgjegjësi nga rezultati i zgjedhjeve, Noka tha se, “opozita e nxjerr përgjegjësinë kur në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Kur ka farsë, opozita ka vetëm një përgjegjësi: të përballet për votën e lirë dhe demokracinë”, tha ai.
“Mbi 150 mijë vota janë vetëm nga kartelet, sa vota pastaj janë nga 100 eurot e pensioneve, sa vota nga falja e gjobave, sa janë nga presionet e shtetit elektoral. Edi Rama e ka ngritur farsën në sistem”, tha Noka. /j.p/